
Në fushë luajmë me zemër, për ndërgjegjësim dhe kujdes për shëndetin
Rozë në fushë, shpresë në çdo zemër
Federata e Para Boccia e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e pjesëmarrjes së parë historike të Kosovës në një garë ndërkombëtare të parasportit të boccias, në World Boccia Challenger Pilsen 2026.
Në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar do të marrin pjesë 22 shtete me gjithsej 80 garues, ndërsa në kategorinë BC2 do të garojnë 14 parasportistë nga vende të ndryshme të botës.
Kosova në këtë kategori do të përfaqësohet nga parasportisti Sabri Çabra, duke shënuar kështu një kapitull të ri për boccia-n kosovare dhe për zhvillimin e parasportit në vendin tonë.
Në konferencën për media morën pjesë:
Murat Murati, Kryetar i Federatës së Para Boccia të Kosovës
Njomza Emini, Kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës
Sabri Çabra, parasportist i boccias dhe përfaqësues i Kosovës në World Boccia Challenger Pilsen 2026
Lulzim Hakaj, trajner i parasportistit Sabri Çabra
Kryetari i Federatës së Para Boccia të Kosovës, Murat Murati, theksoi rëndësinë historike të kësaj pjesëmarrjeje, duke vlerësuar se dalja e Kosovës për herë të parë në arenën ndërkombëtare të boccias është rezultat i punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për zhvillimin e këtij sporti.
Kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, shprehu mbështetjen për sportistin dhe ekipin përfaqësues, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për parasportistët kosovarë që të përfaqësojnë vendin në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Parasportisti Sabri Çabra do të ketë nderin dhe përgjegjësinë që për herë të parë ta përfaqësojë Kosovën në këtë nivel të boccias ndërkombëtare, me synimin për një paraqitje sa më dinjitoze dhe për të grumbulluar përvojë e pikë të rëndësishme ndërkombëtare.
Për aspektin profesional dhe sportiv të përgatitjeve folën edhe Selektori i Kosovës në boccia, Luan Çabra, dhe trajneri Lulzim Hakaj, të cilët shprehën besimin se puna dhe përgatitjet e zhvilluara do të ndikojnë në një paraqitje sa më të mirë të përfaqësuesit të Kosovës.
World Boccia Challenger Pilsen 2026 ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se është pjesë e rrugëtimit ndërkombëtar ku sportistët grumbullojnë pikë të vlefshme për renditjen dhe synimet e ardhshme paralimpike, përfshirë rrugëtimin drejt Lojërave Paralimpike Los Angeles 2028.
Pjesëmarrja e Kosovës në Pilsen përbën më shumë se një garë sportive. Ajo është dëshmi e avancimit të parasportit në vend, e përkushtimit të sportistëve dhe profesionistëve të boccias dhe e synimit që flamuri i Kosovës të jetë gjithnjë e më i pranishëm në arenën ndërkombëtare.
Federata e Para Boccia e Kosovës i uron Sabri Çabrës dhe ekipit të Kosovës shumë suksese në Pilsen, me bindjen se do ta përfaqësojnë vendin me dinjitet, përkushtim dhe krenari.
Burimi: Facebook zyrtar i FPBOK
Shiko postimin në Facebook
Rozë në fushë, shpresë në çdo zemër

Sabri Çabra shkëlqen në Pilsen

Mirënjohje për organizimin brilant të World Boccia Challenger Pilsen 2026